Historia e Tiranes

historia e tiranes

Tri hipotezat për prejardhjen e emrit të Tiranës

  1. “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Te Ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.
  2. “Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton në fillimin e shekullit I para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop, (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.
  3. “Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros” që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.

tirana e vjeter

Për herë të parë emri i Tiranës në formën e sotme përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Për herë të parë regjistrimi i tokave u bë nën pushtimin otoman në vitet 1431-1432. Tirana kishte 60 qendra të banuara me rreth 1000 shtëpi dhe 7300 banorë. Në shekullin XV njihen, siç përmendet nga Marin Barleti, Tirana e Madhe dhe Tirana e Vogël. Në regjistrimet e vitit 1583 treva e Tiranës rezulton me 110 qendra të banuara, 2900 shtëpi dhe 20, 000 banorë. Tirana u themelua në 1614 nga Sulejman Pasha, i cili ishte me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht ai ndërtoi një xhami, një furre dhe një hamam. Dy shekuj me vonë drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja. Dy lagjet më të vjetra të Tiranës kanë qenë ajo e Mujos dhe e Pazarit, të ndodhura sot në zonën mes qëndrës aktuale dhe Rrugës së Elbasanit, në të dy anët e Lanës.

Në vitin 1703, Tirana kishte 4000 banorë. Në vitin 1769 treva e Tiranës eksportonte në tregjet e Venedikut 2600 fuçi me vaj ulliri dhe 14.000 dengje duhani. Në vitin 1820, Tirana kishte 12.000 banorë. Në vitin 1901, Tirana kishte 15.000 banorë.

Në fillim të shekullit XX, Tirana kishte 140.000 rrënjë ulliri, 400 mullinj vaji, ndësa pazari i saj numëronte 700 dyqane. Në vitin 1838, Tirana kishte 38.000 banorë.

Në vitin 1945 kishte 60.000 banorë. Xhamia në qendër të Tiranës, e quajtur Xhamia e Et'hem Beut, filloi të ndërtohej më 1789 nga Molla Beu, i ardhur nga Petrela. Xhamia u përfundua më 1821 nga i biri i Molla Beut, Haxhi Et'hem Beu, stërnipi i Sulejman Pashës. Për të punuan mjeshtrit më të mirë të Shqipërisë. Kulla e Sahatit u fillua nga Haxhi Et'hem Beu rreth vitit 1821-1822 dhe u përfundua me ndihmat e familjeve të pasura të Tiranës. Montimi i sahatit u bë nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësine 35 metra.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sahati u dëmtua, por u rivu në punë në korrik të vitit 1946. Kisha Ortodokse e Shën Prokopit u ndërtua në vitin 1780. Kisha Katolike e Shën Mërisë u ndërtua në vitin 1865 me shpenzimet e Perandorit austro-hungarez Franz Jozef. Ura e Tabakëve dhe Ura e Terzive, (aktualisht ura e Rrugës së Elbasanit), datojnë në fillim të shekullit XIX. Tyrbja e Kapllan Pashës, (pranë monumentit “Ushtari i Panjohur”), është ndërtuar në vitin 1816. Bibloteka u themelua në vitin 1922 dhe kishte 5000 vëllime.

Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km nga Tirana dhe daton në shekullin IV, para Krishtit. Formën e saj aktuale e mori në shekullin e XIII nën sundimin e Topiajve dhe më vonë kaloi pronë e familjes së Kastriotëve. Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm më 9 Shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjes dhe përfundimisht e mori këtë status më 31 dhjetor 1925. Tirana është kryeqendra botërore e bektashinjve nga viti 1925, vit kur bektashinjtë u ndaluan dhe përzunë nga Turqia. Plani i parë rregullues i qytetit u hartua në vitin 1923 nga Estref Frashëri. Rruga e Durrësit është hapur më 1922 dhe quhej rruga “Nana Mbretneshë”. Për ndërtimin e saj u prishën shumë shtëpi e kopshte. Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Atje, më 1 shtator 1928, Ahmet Zogu shpalli monarkinë.

Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët e njohur italianë të periudhës musoliniane Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Pallati i Brigadave (ish-Pallati Mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është ndërtuar në vitin 1930 me emrin Bulevardi Zogu I. Në periudhën e komunizmit pjesa nga Sheshi “Skënderbej” deri te Stacioni i Trenit u quajt Bulevardi “Stalin”. Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Bibloteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-Pazarin e Vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga ish-presidenti sovjetik Nikita Hrushov më 1959.

Monumenti i Skënderbeut, i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit, në bashkëpunim me Andrea Manon dhe Janaq Paçon. Ai u vendos me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Monumenti “Nënë Shqipëri”, 12 metra i lartë, u përurua në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” më 1971.

Akademia e Shkencave u përfundua më prill 1972. Galeria e Arteve Figurative u krijua më 1976 dhe në të përfshihen rreth 3200 vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua më 1981 dhe afresku në pjesën ballore të tij titullohet “Shqipëria”. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu “Enver Hoxha”, u përurua më 1988. “Piramida” u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit.

Në vitin 1990 Tirana kishte 250.000 banorë. Aktualisht, dyndja masive e banorëve nga gjithë pjesët e tjera të vendit drejt kryeqytetit, e ka çuar popullsinë e Tiranës në mbi 700.000 banorë. Në vitin 2000 qendra e Tiranës, nga Korpusi Qendror i Universitetit dhe deri te Sheshi “Skënderbej”, u shpall Ansambël Kulturor me vlera të veçanta dhe mbrohet nga shteti. Po atë vit, në këtë zonë filloi një proces restaurimi i quajtur “Kthim në Identitet”.

historia e tiranes - bulevardi i vjeter

Tirana kryeqytet

Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërsisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtutetuese.

Në Historinë e Popullit Shqiptar , “Periudha e Pavarësisë (28 Nëntor 1912 – 7 Prill 1939), në faqen 249 përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.

“Në Tiranë, përkundrazi kundërshtimi i Esat Pashë Toptanit, hëpërhë ishte eleminuar, për sa kohë ai ishte kundërshtar i qeverisë së Durrësit. Veç kësaj Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare.Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele.Duke marrë parasysh këto faktorë, qeveria e Lushnjës mori vendim më 9 shkurt 1920, që ta vendoste kryeqytetin e Shqipërisë përkohësisht në Tiranë, duke e lënë të hapur çështjen e vendosjes përfundimtare të kryeqytetit kur të mblidhej e para asamble kushtetuese. Me miratimin e të gjithë pjesëtarëve të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë, fill pasi repartet e ushtrisë italiane ishin larguar nga qyteti dhe vendosur në Durrës. Banorët e Tiranës e pritën me entuziasëm hyrjen e organeve të larta shtetërore, në kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, të cilin asambleja kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht kryeqytet të saj. Sidoqoftë jeta e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë fillon më 11 shkurt 1920”.

Fragment nga “Historia e Tiranës” Prof.Kristo Frashëri  - Faq.417

Kronologjia e pronësisë dhe e administrimit të Tiranës

Deri në shekullin e XV

Sundimtarët e Pellgut të Tiranës

  • Familja e Topiajve deri në shekullin e XIV
  • Familja e Kastriotëve deri në shekullin e XV

Me vdekien e Skënderbeut, territoret e sundimit të tij me qendër Krujën u tkurrën u shpopulluan e deri u braktisën duke rimarë format e niveleve të fshatrave. Në këto rrethana fillon e i hapet rrugë një qendre tjetër, pesha e së cilës është shkallëzisht në rritje. Fjala është për Tiranën.

Sundimtarë të Tiranës

Sundim familjar i familjes Bargjini nga viti 1614 - 1800)

  • Sulejman BARGJINI -- PASHA
  • Ahmet Myftar BARGJINI -- PASHA (I biri i Sulejmanit)
  • Ibrahim BARGJINI -- BEJ (I biri i Ahmetit)
  • Ahmet BARGJINI -- PASHA (I biri i Ibrahimit)

Ndërpritet sundimi familjar i Bargjinëve pasi Ahmet BARGJINI nuk kishte djalë. Sundimin e merr Kapllan TOPTANI - PASHA. Katër vajzat e Bargjinëve martohen me katër djemtë e Kapllan PASHËS.

Qëndra e Nën-prefekturës Krujë-Tiranë kalon në Tiranë më 1807

Sundim i fituar me martesë më 1807

Kapllan TOPTANI--PASHA (Sundimtar i Krujës) (vdes më 1816 )

Sundimin e merr përkohësisht

  • Haxhi Et'hem BARGJINI --BEJ (nga fisi i Bargjinëve por jo trashëgimtar) (Sundon nga viti 1817-1822 kur Toptanët rimarin pushtetin)
  • Abdurrahman TOPTANI -- BEJ (Sundon nga viti 1822-1837)
  • Ahmed TOPTANI -- BEJ (I biri i Abdurrahman TOPTANIT) (Sundon nga viti 1837-1865)

Merr fund administrimi nga SHEFI i familjes sunduese

Rritet roli qytetar i PARISË

Në vitin 1865 u reformua administrata e Turqisë duke u organizuar vilajetet,

Vilajeti i Shkodrës -- ekujvalent -- Qarku i Shkodrës

Sanxhaku i Durësit -- ekuivalent -- Prefektura e Durrësit

Nënprefektura e Tiranës

Ky administrim vazhdon deri në vitin 1912 me shpalljen e Pavarësisë

Nga viti 1913 Tirana administrohet nga Kryebashkiak vendas.

^ Back to Top