Plani i ri urbanistik i Tiranës gati në muajin Maj 2012

 

Integrimi i ndërtimeve kaotike përgjatë viteve të fundit, do të jetë sfida e Planit të ri Urbanistik të Tiranës, i cili do të jetë gati në muajin maj. Sipas arkitektit Flamur Kuçi, drejtuesi i grupit teknik për konceptimin e Planit Territorial të Tiranës dhe këshilltar i Kryeministrit për çështjet urbane, zhvillimi i territorit të kryeqytetit është tejet i vështirë, pasi një pjesë e mirë e tij është ndërtuar keq. Ky fakt do të jetë një sfidë për planin e ri të qytetit. 

“Për një notë optimizmi, situata nuk është e pashpresë, përkundrazi, kemi gjetur hapësirat e duhura në plan, për përqendrime disa pole zhvillimi, sipas modelit që kemi promovuar për një Tiranë policentrike. Kryeqyteti nuk do të jetë më një qendër e rrethuar me zona me ndërtime strehimi të ndërtuara keq, siç është sot, po një ind urban. Po tentojmë që Tirana te ketë disa pole zhvillimi, ku do të ketë disa qendra që do të ofrojnë shërbime të përqendruara që përgjithësisht ofrohen në qendra të qyteteve, si shërbimet rekreative, institucionale, tregtare, biznesi, etj. Ekzistenca e këtyre shërbimeve do të bëjnë që zonat rreth e rrotull të Tiranës të jenë më cilësore nga pikëpamja e jetesës dhe për të relaksuar shërbimet që duhet të ofrojë qendra e kryeqytetit, e për t’i shpërndarë ato në disa qendra. Për këtë po punojmë edhe për një skemë më të mirë të transportit. Ky model do të funksionojë”, u shpreh Kuçi.

Ai thotë se aktualisht në qendër të punës së grupit strategjik dhe teknik të hartimit të Planit Urbanistik është zhvillimi ekonomik i qytetit. Një grup ekspertësh po punojnë për analizimin aktual të modelit ekonomik të qytetit, nga ku do të dalin propozime konkrete për një spostim pozitiv të ekonomisë së rajonit të Tiranës. Më pas do të detajohen projeksionet për nevojat infrastrukturore, për strehim dhe zonimit funksional të qytetit. Kuçi konfirmoi se “jemi brenda afateve që në maj të kemi një Plan Urbanistik të konsultuar”.

Plani i ri urbanistik për herë të parë ka një metodologji shkencore. Ai nuk do të jetë një plan “vizatim”, por një plan me përllogaritjet e duhura, duke iu përgjigjur realisht dhe me eficencë nevojave të qytetit. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka deklaruar në mbledhjen e fundit me grupin teknik të punës për hartimin e planit rregullues, se konsultimet me qytetarët për planin rregullues të Tiranës do të nisin këtë muaj. “Për realizimin e planit urbanistik do të dëgjohet zëri qytetar. Marrja dhe dëgjimi i zërit qytetar nuk është një formalitet, por një domosdoshmëri. Kërkojmë ta ndërtojmë këtë proces mbi baza profesioniste dhe jo vullnetare, me një kalendar të mirë planifikuar profesionalist”, është shprehur Basha.

^ Back to Top